Në orën 11:00 do të nisë takimi i kryeministrit Edi Rama me krerët e bashkive në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Kjo mbledhje (me dyer të mbyllura) vjen në kuadër të turit të tij “Punët e Shqipërisë”, ndërsa nuk përjashtohet diskutimi i çështjeve të tjera me interes për pushtetin vendor.
Në fokus është edhe Paketa e Maleve, puna për të cilën duhet të jetë e vrullshme nga ana e kryebashkiakëve, pasi kreu i qeverisë ka vënë një kusht për rikandidimin e tyre që lidhet pikërisht me këtë nismë.
Ditët e fundit, numri një i kabinetit qeveritar ka mbajtur disa takime me strukturat e Partisë Socialiste në kryeqytet, si një parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme vendore. Prioritet për mazhorancën në këtë mandat të katërt qeverisës mbetet edhe integrimi në Bashkimin Europian.
Më 21 mars, u mblodh për më shumë se 3 orë në Durrës Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, duke çelur zyrtarisht fushatën për garën brenda partisë. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, analizoi rezultatet zgjedhore të 2025-ës dhe vendosi afatet për të gjithë procesin e “riformatimit” të strukturave.
Atë ditë, Rama la porositë për zgjedhjet e 2027-ës duke u ndalur te negociatat Shqipëri-BE, reforma në drejtësi, administrata, shërbimet e veçanërisht te qarku i Tiranës!
