Për herë të parë në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) është realizuar me sukses një ndërhyrje inovative miniinvazive për bajpas koronar tek një pacient 74-vjeçar, pa hapje të sternumit dhe pa ndaluar zemrën.
Në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, prof. asc Altin Veshti tha se “ndërhyrja përbën një hap të rëndësishëm drejt kirurgjisë moderne kardiake, duke reduktuar traumën kirurgjikale dhe duke mundësuar rikuperim më të shpejtë për pacientin”.
Operacioni u realizua pa nevojë për transfuzion gjaku, ndërsa pacienti pritet t’i rikthehet jetës normale brenda pak ditësh.
“Pacienti 74-vjeçar u paraqit në urgjencën e QSUT me infarkt të ventrikulit të djathtë. Në fazën akute, ekipi mjekësor vendosi një stent në arterien koronare të djathtë, duke stabilizuar gjendjen shëndetësore dhe duke zgjidhur emergjencën fillestare”, tha Veshti.
Sipas protokollit mjekësor, në një moment të dytë u programua kryerja e bajpasit koronar.
“Pacienti iu nënshtrua bajpasit me një teknikë inovative dhe miniinvazive përmes një miniincizioni prej vetëm 5 cm në hapësirën e 5-të interkostale pa hapur stemumin në mënyrë klasike, realizohet bajpasi me arterin mamaria LAD (arteria kryesore e zemrës)”, tha Veshti.
Kjo teknikë sjell përfitime të shumta për pacientët, si më pak dhimbje pasoperatore, më pak komplikacione dhe kohë më të shkurtër rikuperimi.
Kjo arritje konsiderohet një sukses i rëndësishëm për kardiokirurgjinë shqiptare dhe një tjetër hap përpara në aplikimin e teknikave bashkëkohore në sistemin shëndetësor publik.
