Brigitte Macron dhe bashkëshorti i saj, Emmanuel Macron, janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të librit “Un Couple (Presque) Parfait”, një biografi e re nga gazetari Florian Tardif, e cila hedh dritë mbi marrëdhënien e tyre personale dhe jetën brenda Pallatit Elysee.
Libri paraqet një tablo të një martese të mbushur me tensione, xhelozi dhe ndikim të fortë të Zonjës së Parë në jetën politike dhe personale të Presidentit francez. Sipas autorit, Brigitte Macron, 73 vjeç, i konsideron gratë përreth bashkëshortit të saj si “grabitqare” dhe thuhet se kontrollon personalisht kandidatet femra që aplikojnë për punë në Pallatin Elysee.
Sipas pretendimeve të librit, Zonja e Parë kërkon të shohë fotografitë e çdo gruaje që aplikon për poste pranë presidencës franceze dhe në disa raste ka vendosur vetë nëse ato duhet të punësohen apo jo. Florian Tardif përshkruan një atmosferë ku xhelozia dhe pasiguria personale ndikojnë edhe në vendimmarrje brenda presidencës.
Në një darkë private vitin e kaluar, Brigitte Macron thuhet se u ka rrëfyer miqve të saj: “Kam frikë. Kam frikë se pas gjithë kësaj, ai mund të më lërë”, një deklaratë që sipas autorit tregon pasiguritë e saj lidhur me diferencën e madhe në moshë me Presidentin francez, i cili është 25 vite më i ri.
Libri ndalet edhe tek raporti i afërt dhe ndikimi i Brigitte Macron mbi Emmanuel Macron që prej fillimit të karrierës së tij politike. Sipas Tardif, Presidenti francez ua ka bërë të qartë bashkëpunëtorëve të tij se lumturia e bashkëshortes ishte thelbësore për suksesin e mandatit të tij presidencial.
