Tre deputetë të Partisë Socialiste kanë reaguar pas ngjarjeve të ndodhura në Zvërnec të Vlorës, ku gjatë një proteste kundër ndërtimit të një resorti turistik pati disa protestues u dhunuan nga rojeve private të sigurisë. Deputetët Erion Braçe, Ardit Bido dhe Briseida Çakërri kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve dhe kanë kërkuar hetim të plotë të ngjarjes.
Deputeti Erion Braçe e cilësoi të papranueshme dhe kriminale dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, duke vlerësuar pezullimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, por duke theksuar se kjo masë nuk është e mjaftueshme. Sipas tij, një protestues paqësor u godit dhe u tërhoq zvarrë nga persona të paautorizuar, në prani të forcave të policisë.
Braçe akuzoi drejtuesit e Policisë së Vlorës se jo vetëm nuk garantuan zhvillimin normal të protestës, por lejuan praninë e personave të maskuar dhe pa shenja identifikuese, të cilët sipas tij kontribuuan në përshkallëzimin e situatës. Ai kërkoi përgjegjësi për të gjithë personat e përfshirë në aktet e dhunës dhe ngriti pikëpyetje mbi statusin dhe përgjegjësinë e kompanisë private të sigurisë.
Deputeti Ardit Bido përshëndeti arrestimin e rojës private Gerald Biba dhe nisjen e hetimeve ndaj zinxhirit komandues të Policisë së Vlorës, duke e konsideruar këtë një tregues se shteti nuk duhet të mbrojë askënd që shkel ligjin.
Në reagimin e tij, Bido kërkoi që hetimet të shkojnë deri në fund dhe, nëse provohet se kompania e sigurisë ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe ka ushtruar forcë në kundërshtim me ligjin, të merren masat më të rënda, deri në heqjen e licencës së saj.
Deputetja Briseida Çakërri dënoi pamjet e personave të maskuar që ushtronin dhunë ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato një njollë mbi parimet e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie demokratike.
Sipas saj, rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që kanë këtë përgjegjësi dhe askush nuk mund të zëvendësojë autoritetin e ligjit. Çakërri theksoi se Shqipëria ka nevojë për investime dhe zhvillim, por çdo projekt duhet të zbatohet në përputhje me ligjin.
