Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Tabaku: Protesta kundër një sistemi që ndryshon ligjet për pakicën dhe përjashton shumicën

20:41 / June 4, 20266 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
12122
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Ndërsa protesta kundër qeverisë për çështjen e Zvërnecit hyri në ditën e pestë, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaroi nga foltorja e Kuvendit se revolta e qytetarëve nuk lidhet vetëm me një projekt të caktuar, por me një model qeverisës që prej vitesh ka ndryshuar ligjet sipas interesave të pakicës.

Tabaku kujtoi se ka qenë ndër deputetet që kundërshtoi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura si dhe ligjin e investimeve strategjike, duke argumentuar se këto ndërhyrje ligjore i kanë hapur rrugë një sistemi ku vendimet merren për një grusht përfituesish, ndërsa qytetarët dhe komunitetet lokale përjashtohen nga procesi.

Sipas saj, problemi i sotëm nuk është vetëm Zvërneci, por fakti që për vite me radhë janë miratuar ligje që trajtojnë Shqipërinë si pronë të pushtetit dhe jo si pasuri të përbashkët të shqiptarëve.

“Qytetarët nuk po protestojnë vetëm për një copë tokë apo për një projekt. Ata po protestojnë kundër një sistemi që ka krijuar privilegje për pakicën, ka deformuar ekonominë dhe ka bërë që çdo projekt i madh të shoqërohet me mosbesim”, u shpreh Tabaku.

Deputetja e PD-së theksoi se ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura dhe zgjatja e vazhdueshme e ligjit të investimeve strategjike janë shembuj të një modeli ku ligjet nuk ndërtohen për interesin publik, por për t’i hapur rrugë projekteve të caktuara dhe interesave të veçanta.

Fjala e Tabakut:

Për vite me radhë e kam dëgjuar veten të flas në këtë sallë dhe shpesh jam ndjerë në siklet. Jo sepse kam gabuar, por sepse shqiptarët e zakonshëm e kanë kuptuar të vërtetën shumë më herët se ne. Ata e ndjejnë çdo ditë kur paguajnë faturat, kur bëjnë llogaritë në fund të muajit, kur përballen me vështirësitë ekonomike dhe kur shohin se si funksionon ky sistem.

Sot nuk jam këtu për të folur për një projekt të vetëm. Nuk jam këtu për të folur as për një investitor të vetëm. Sot dua të flas për sistemin. Për sistemin që ka mbledhur sot qytetarët përballë qeverisë. Për sistemin që ka bërë të mundur që çdo projekt i madh në Shqipëri të shoqërohet automatikisht me mosbesim, sepse shqiptarët e dinë nga përvoja se ligji nuk i trajton të gjithë njësoj.

Kjo është arsyeja pse qindra qytetarë, me parti apo pa parti, aktivistë të shoqërisë civile dhe njerëz të zakonshëm janë mbledhur prej ditësh në protestë. Që ditën e parë unë iu bashkova asaj proteste jo si politikane, por si qytetare. Pa kamera, pa foto dhe pa deklarata, sepse besoj se kauza e tyre është e drejtë.

Tre vite më parë organizata të shoqërisë civile trokitën në derën e zyrës sime dhe ngritën shqetësimin për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. I dëgjova me vëmendje dhe iu bashkova betejës së tyre. Së bashku arritëm ta çonim çështjen e Aeroportit të Vlorës dhe të ligjit për zonat e mbrojtura në dyert e Komisionit Europian dhe të Parlamentit Europian. Ishin dy ligje problematike, efektet e të cilëve po i shohim sot.

Po ashtu, prej dhjetë vitesh kam folur kundër ligjit të investimeve strategjike. E kam konsideruar gjithmonë një rrezik për ekonominë dhe për shtetin e së drejtës. Një ligj që ndërhyn në marrëdhëniet e pronësisë, që i jep shtetit kompetenca të panevojshme në konfliktet mes privatëve dhe që krijon privilegje për një grup të kufizuar njerëzish. Një ligj që lindi si i përkohshëm dhe u shndërrua në një mekanizëm të përhershëm.

Është normale që projektet e mëdha të shoqërohen me debat. Është normale që qytetarët të kërkojnë transparencë, konsultim dhe informacion. Pikërisht kjo po ndodh sot. Qytetarët nuk protestojnë vetëm për Zvërnecin. Ata protestojnë edhe për pamundësinë ekonomike, për arrogancën e pushtetit, për mungesën e besimit tek politika dhe për një sistem që nuk u krijon mundësi të barabarta.

Një investitor serioz është gjithmonë i mirëpritur në Shqipëri. Por vendi nuk mund të trajtohet si pronë private e askujt. Shqipëria nuk mund të qeveriset me ligje të shkruara sipas porosisë. Do të ishte normale që projektet e mëdha të diskutoheshin publikisht, që të paraqiteshin kostot dhe përfitimet, që parlamenti të ushtronte kontroll dhe që qytetarët të dëgjoheshin.

Përkundrazi, për vite me radhë kemi parë vendimmarrje të mbyllura, mungesë transparence dhe ndryshime ligjore të bëra për interesa të ngushta. Pikërisht kjo ka krijuar mosbesimin që shohim sot.

Dëgjoj shpesh protestues që thonë se “janë të gjithë njësoj”. Jo, nuk jemi të gjithë njësoj.

Unë kam folur kundër ligjit të investimeve strategjike që ditën e parë. Kam folur kundër ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura. Kam folur kundër koncesioneve dhe partneriteteve publik-private që kanë deformuar tregun. Kam paraqitur amendamente dhe nisma ligjore për të ndalur këtë model.

Vitin e kaluar, me ftesë të organizatave të shoqërisë civile, vizitova Zvërnecin dhe Nartën bashkë me fëmijët e mi. Pashë nga afër flamingot dhe pasurinë e jashtëzakonshme natyrore që ka Shqipëria. Atë ditë e kuptova edhe më qartë se sa e rëndësishme është të ruajmë atë që kemi.

Jam bashkuar këtyre kauzave sepse besoj se Shqipëria mund të jetë ndryshe. Besoj se për të tërhequr investime serioze duhet të zbatojmë ligjin. Besoj se duhet të jemi jo vetëm në germë, por edhe në frymë në përputhje me legjislacionin europian. Dhe besoj se duhet të shkatërrojmë këtë sistem që ka kapur ekonominë dhe po detyron shqiptarët të largohen.

Fatkeqësisht, kjo sallë është kthyer në noter të vendimeve të qeverisë. Këtu janë votuar ligji i investimeve strategjike, ligjet e koncesioneve dhe miliarda euro kontrata që kanë prodhuar përfitime për pakicën dhe kosto për shumicën.

Ndërkohë investimet publike janë në nivele minimale, shërbimet publike degradojnë, klasa e mesme po shpërbëhet dhe periferia po zbrazet. Kukësi, Dibra, Bulqiza dhe shumë zona të tjera vazhdojnë të mbeten pas, ndërsa të rinjtë largohen çdo vit.

Prandaj pyetja nuk është kush ndërton. Pyetja është: për kë ndërtohet Shqipëria?

Për një grusht kompanish që marrin pjesën më të madhe të tenderëve? Për investitorë të privilegjuar? Për kullat bosh që askush nuk mund t’i blejë? Apo për familjet që punojnë me dy paga dhe përsëri nuk arrijnë të blejnë një shtëpi?

Ne nuk po bëjmë politikë. Po bëjmë aritmetikë. Dhe aritmetika tregon qartë se ky sistem transferon pasurinë e shumicës tek pakica, vit pas viti, përmes ligjeve dhe vendimeve të miratuara në këtë sallë.

Prandaj sot kërkoj diçka të thjeshtë: riktheni parlamentit rolin e tij. Riktheni qytetarëve transparencën. Riktheni drejtësinë fiskale.

Nuk mund të flasim për integrim europian kur modeli ynë i zhvillimit bie ndesh me vlerat europiane. Nuk mund të pretendojmë demokraci kur pyetjet themelore mbeten pa përgjigje: kush përfiton nga paratë publike, si merren vendimet dhe kush mban përgjegjësi?

Shqipëria meriton të jetë ndryshe. Pavarësisht bindjeve tona politike, një gjë na bashkon: nevoja për të ndryshuar këtë model që ka prodhuar pabarazi, privilegje dhe mosbesim.

Unë nuk bie dakord me çdo slogan që dëgjohet në protestë. Por bie dakord me nevojën urgjente për të ndryshuar mënyrën se si qeveriset ky vend. Për të ndryshuar modelin ekonomik. Për t’i shtrirë dorën çdo qytetari që ende beson se politika mund të sjellë ndryshim.

Le t’ua rikthejmë shqiptarëve shpresën. Le ta fillojmë nga politika. Le ta fillojmë nga vetja

kunder Protesta shumicen sistemi tabaku
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

E “kryqëzuan” për indiferencën ndaj protestës në Vlorë, reagon për herë të parë Bora Zemani

22:56 / June 4, 2026

Shoqëroi i pari Ivankën dhe Kushner në Shqipëri, Auron Tare: Nuk e dinin ku i binte Sazani dhe Zvërneci

22:41 / June 4, 2026

Mbyllet pas më shumë se tre orësh dita e pestë e protestës, zbardhen 5 kërkesat e “grupit nismëtar”

22:05 / June 4, 2026

Harmoni mes projektit dhe natyrës/ Arkitekti i kontraktuar për Zvërnecin, në Tiranë mes 600 arkitektëve botërorë

21:01 / June 4, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.