Teksa theksoi sërish se resorti në Zvërnec do të ndërtohet patjetër, kryeministri Edi Rama tha sot se protestat kundër investimit në Tiranë dhe qytete të tjera, po dëmtojnë turizmin. Sipas kreut të qeverisë, për shkak të këtyre tubimeve, operatorët turistikë kanë njoftuar anulimet e para të rezervimeve të bëra nga turistët e huaj.
Sa i përket takimit që zhvilloi pak ditë më parë me banorët e Zvërnecit, mes tyre edhe pretendentë për toka që i janë drejtuar edhe gjykatës, shefi i ekzekutivit tha se ishte një bashkëbisedim shumë normal dhe qytetar që qartësoi disa pikëpyetje të ngritura nga zhvillimet e ditëve të fundit.
“Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay? Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay? Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: ‘Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë'”,– tha Rama.
Rama vuri sërish në dyshim edhe sinqeritetin e protestës së ngritur kundër investimit, duke thënë se në mesin e saj dominojnë personazhe të njohur në rrjetet sociale që shfrytëzojnë situatën për të gjeneruar like dhe klikime që më pas konvertohen në para për ata, por edhe të “marrë që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror. Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike.”
“Kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit. Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë. Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane”,- tha Rama.
