Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Mesdhe, duke fituar vlerësime nga vizitorë dhe media të huaja, të cilat e krahasojnë shpesh me Karaibet për shkak të ujërave të kristalta, peizazheve të paprekura dhe bukurive natyrore që ofron. Kështu shkruan media italiane “The Wom Travel”.
Nga Alpet Shqiptare në veri deri te Riviera Shqiptare në jug, vendi ofron një larmi të jashtëzakonshme peizazhesh. Kësaj pasurie natyrore i shtohen qytetet historike të mbrojtura nga UNESCO dhe Tirana, një kryeqytet që po përjeton një transformim të shpejtë urban dhe kulturor.
Sipas vlerësimeve të publikuara në mediat ndërkombëtare të turizmit, Shqipëria nuk është vetëm një destinacion plazhesh si Ksamili, por një vend ku ndërthuren historia e lashtë, arkitektura osmane, natyra e egër dhe trashëgimia e pasur kulturore e Ballkanit, duke u ofruar vizitorëve një përvojë unike dhe të shumëllojshme.
Një destinacion gjithëperfshirës: det, male dhe histori
Për një udhëtim të parë në Shqipëri rekomandohen të paktën 7–10 ditë, për të kombinuar bregdetin, qytetet historike dhe zonat malore. Muajt më të favorshëm janë pranvera dhe fillimi i vjeshtës, ku temperaturat janë më të ngrohta dhe destinacionet më pak të mbipopulluara.
Në verë, Riviera Shqiptare – nga Vlora deri në Ksamil – kthehet në një epiqendër të turizmit, me ujëra të ngrohta dhe jetë të gjallë nate, ndërsa zonat malore ofrojnë klimë më të freskët dhe peizazhe alpine.
Qytete historike dhe kultura të ndryshme
Kryeqyteti i Shqipërisë është pika kryesore e hyrjes për turistët. Sheshi “Skënderbej”, Muzeu Historik Kombëtar, Blloku dhe Mali i Dajtit ofrojnë një kombinim mes historisë, jetës moderne dhe natyrës.
Shkodra
E konsideruar si qendër kulturore, Shkodra shquhet për bashkëjetesën fetare dhe Kalanë e Rozafës, që dominon liqenin dhe fushën përreth.
Berati
“Qyteti i një mbi një dritareve”, i mbrojtur nga UNESCO, është i njohur për arkitekturën karakteristike osmane dhe kalanë historike të banuar ende sot.
Gjirokastra
Një qytet muze i UNESCO-s, i ndërtuar me gur, me një kala të madhe dhe pazarin e vjetër që ruan atmosferën tradicionale shqiptare.
Korça
Qendër kulturore dhe artistike, e njohur për festivalet, muzeun e artit mesjetar dhe traditat gastronomike.
Durrësi
Një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, me amfiteatër romak dhe gjurmë të rëndësishme të antikitetit.
Natyrë mahnitëse dhe vende arkeologjike: Nga Syri i Kaltër te “Fjordet” e Komanit
Në veri, Liqeni i Komanit ofron një nga udhëtimet më spektakolare me traget mes kanioneve të ngushta malore.
Thethi dhe Valbona janë destinacione të njohura të Alpeve Shqiptare, të preferuara për ecje dhe turizëm malor.
Në jug, Parku i Butrintit – pjesë e UNESCO-s – përmbledh mbi 3000 vjet histori, nga periudha greke deri te ajo bizantine dhe veneciane.
“Syri i Kaltër” mbetet një nga atraksionet më të veçanta, një burim natyror me ujëra ngjyrë blu intensive në mes të pyllit.
Ndërkohë, Parku Kombëtar i Llogorasë ofron një panoramë unike mbi Rivierën Shqiptare dhe është i njohur për aktivitete si ecje dhe hedhje me parashutë.
Riviera: Ksamili, Vlora dhe Saranda
Nga Vlora deri në Sarandë, bregdeti shqiptar ofron plazhe me ujëra të kristalta dhe gjire të fshehura. Dhërmiu, Himara, Saranda dhe Ksamili janë ndër destinacionet më të kërkuara.
Ksamil, në veçanti, është kthyer në një simbol turistik, shpesh i krahasuar me destinacione ekzotike, për shkak të ujërave të pastra dhe ishujve të vegjël pranë bregut.
Gastronomi dhe traditë
Kuzhina shqiptare reflekton ndikime ballkanike dhe mesdhetare. Disa nga gatimet më tipike janë: byreku, tava e kosit, qofte dhe peshku i freskët në zonat bregdetare.
Ëmbëlsirat tradicionale përfshijnë, trileçen dhe bakllavanë, ndërsa pija më e njohur është rakia, e prodhuar shpesh në mënyrë artizanale.
Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik ekonomik dhe i larmishëm në Mesdhe, duke ofruar një kombinim të rrallë mes detit, maleve, historisë dhe kulturës.
Nga Alpet Shqiptare deri te ujërat e kristalta të Ksamilit, vendi po tërheq çdo vit e më shumë turistë ndërkombëtarë, të cilët e përshkruajnë si një nga “sekretet e fundit të paprekura të Evropës”.
