Kolumbia kishte nevojë për fitoren dhe e arriti, duke siguruar edhe kualifikimin, si dhe vendin e parë në Grupin K, ku la pas Portugalinë e Kristiano Ronaldos në vendin e dytë.
Suksesi ndaj Republikës Demokratike të Kongos ishte minimal dhe u vulos relativisht vonë në ndeshje. Daniel Munjoz ishte autori i golit të vetëm në minutën e 76-të, duke konkretizuar dominimin e skuadrës nga Amerika Latine.
Të besuarit e trajnerit argjentinas, Nestor Lorenco, krijuan shumë raste dhe mund të kishin shënuar më shumë, por gabuan në finalizim, si për shkak të nxitimit ashtu edhe rezistencës së fortë të kundërshtarëve afrikanë, që më parë kishin marrë pikë ndaj Portugalisë.
Kolumbianët ishin më kërkues gjatë gjithë takimit, me 20 gjuajtje në total dhe 9 në kuadrat, ndërsa kongolezët rrezikuan vetëm një herë portën kundërshtare. Munjoz goditi edhe shtyllën, ndërsa Luis Diaz gjeti rrugën e rrjetës në pjesën e dytë, por goli u anulua. Surpriza e ndeshjes ishte fakti që Munjoz ishte rreziku kryesor i Kolumbisë, më shumë se Diaz apo Hames Rodrigez.
Me 6 pikë, Kolumbia siguron kalimin e turit dhe tashmë do të përballet me Portugalinë për vendin e parë në grup. Për kualifikimin e mjafton edhe një barazim, pasi kolumbianët kanë 6 pikë kundrejt 4 të luzitanëve. Republika Demokratike e Kongos, nga ana tjetër, mbetet në garë dhe shpreson të kualifikohet nëse mposht Uzbekistanin.
