Kremtimi i ditëlindjes nuk mund të jetë i plotë për Lionel Messin, pasi edhe këtë herë e gjen në “orarin e punës”. Ashtu si në shumë raste gjatë karrierës së tij, ylli argjentinas feston përvjetorin në mes të një turneu madhor me kombëtaren.
Legjenda e futbollit botëror mbush 39 vjeç këtë të mërkurë, ndërsa ndodhet i grumbulluar me Argjentinën në Kupën e Botës. Shokët e skuadrës dhe familjarët i kanë organizuar një festë të thjeshtë, duke i kënduar dhe fikur qirinjtë e tortës, por vëmendja e tij mbetet e përqendruar te objektivi madhor.
Messi synon të udhëheqë sërish Argjentinën drejt triumfit botëror, ashtu si katër vite më parë në Katar. Kapiteni I Argjentinës po shkëlqen fort edhe në këtë Botëror, duke konfirmuar statusin e tij si një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë.
Me 18 gola të shënuar në Kupat e Botës, ai është tashmë rekordmeni absolut i kompeticionit, duke lënë pas gjermanin Miroslav Klose. Gjithashtu, Messi kryeson garën për “Këpucën e Artë” të këtij Botërori me 5 gola, duke lënë pas Kylian Mbappé dhe Erling Haaland, që kanë nga 4.
Nëse arrin të fitojë edhe këtë Botëror, Messi do të shtonte në koleksionin e tij trofeun e 46-të në karrierë, një shifër që do ta forconte edhe më shumë vendin e tij në historinë e futbollit.
