Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria po përjeton një periudhë të rëndësishme zhvillimi në turizëm, duke theksuar se rritja e numrit të vizitorëve sjell përfitime për ekonominë, por edhe përgjegjësi më të mëdha për institucionet përgjegjëse për sigurinë.
Gjatë prezantimit të planit të masave për sezonin turistik, Lamallari u shpreh se turistët që zgjedhin Shqipërinë nuk tërhiqen vetëm nga plazhet, malet apo qytetet historike, por edhe nga perceptimi i vendit si një destinacion i sigurt dhe mikpritës.
Ai vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit, duke theksuar se sezoni veror për efektivët përbën një periudhë intensive pune dhe jo pushimi. Sipas ministrit, janë marrë të gjitha masat për të garantuar një sezon të qetë dhe të sigurt në të gjithë vendin.
Një vëmendje e veçantë, sipas Lamallarit, do t’i kushtohet sigurisë në zonat bregdetare. Ai theksoi se njësia policore detare do të ketë një rol kyç në monitorimin e plazheve dhe në parandalimin e incidenteve me mjetet lundruese, me synimin që ngjarje të ngjashme me ato të viteve të kaluara të mos përsëriten.
“Ka vite që Shqipëria po jeton një moment të jashtëzakonshëm zhvillimi në turizëm. Ky është një fakt që na gëzon të gjithëve. Turizmi është një nga sektorët më jetikë të ekonomisë sonë, por ky sukses sjell edhe më shumë përgjegjësi. Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai nuk zgjedh vetëm një plazh, një mal apo një qytet historik, por zgjedh një shtet që e pret me dinjitet që në pikën kufitare dhe e mbron me profesionalizëm.
Përveç të ardhurave për ekonominë, turistët sjellin edhe përfitime në aspektin e imazhit të vendit tonë, duke u bërë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në vendet ku ata jetojnë. Këtë duhet t’ua kthejmë me shërbime më të mira, me më shumë siguri dhe me më të mirën që ofron vendi ynë.
Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë dhe përkushtim, me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. Këtu e kam fjalën pikërisht për ju, punonjësit e Policisë së Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këta muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike të vendit.
Sezoni veror nuk është thjesht periudhë pushimi, është prova më e madhe e shërbimit tuaj. Ju, punonjësit e Policisë së Shtetit, e dini më mirë se kushdo tjetër këtë angazhim. Ne kemi detyrimin të dëshmojmë se jemi gati me të gjitha angazhimet tona.
Ne kemi marrë masat e nevojshme për të garantuar një sezon të sigurt, të qetë dhe të suksesshëm. Dua të ndalem te njësia policore detare, e cila ka një rol parësor për të garantuar sigurinë në plazhet e vendit, në mënyrë që të mos kemi incidente si në të kaluarën me mjetet lundruese”, theksoi Lamallari.
