Mbi 100 fluturime janë anuluar në Japoni, ndërsa dy stuhi tropikale po i afrohen vendit, duke detyruar autoritetet të paralajmërojnë për evakuime në disa zona për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
Sipas meteorologëve, tajfuni Mekhala, me erëra që arrijnë deri në 144 kilometra në orë, pritet të godasë Japoninë brenda pak orësh. Ndërkohë, reshje intensive shiu kanë përfshirë tashmë rajonet jugore dhe perëndimore të vendit, duke shtuar shqetësimet për situatën.
Parashikimet tregojnë se stuhia do të kalojë përgjatë ishujve Kyushu dhe Shikoku gjatë fundjavës. Meteorologët nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të bashkohet me stuhinë tropikale Higos, e cila ndodhet më larg në Oqeanin Paqësor.
Nëse kjo ndodh, ekspertët paralajmërojnë për fenomenin e njohur si “Fujiwara”, i cili mund ta bëjë shumë më të vështirë parashikimin e drejtimit dhe intensitetit të stuhive.
Si pasojë e motit të keq, kompanitë ajrore Japan Airlines dhe All Nippon Airways kanë anuluar përkatësisht 70 dhe 50 fluturime nga dhe drejt prefekturave Okinawa dhe Kagoshima.
Në prefekturën e Kiotos janë lëshuar rekomandime për evakuimin e mijëra banorëve për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut. Ndërkohë, në Kioto dhe Osaka autoritetet kanë raportuar rritje të nivelit të lumenjve dhe rrezik të shtuar për përmbytje.
Edhe ushtria japoneze ka pezulluar një fluturim të planifikuar të avionëve V-22 Osprey drejt ishullit Miyako, në kuadër të stërvitjeve të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara, sipas agjencisë Kyodo
