Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar “revolucionin e flamingove” si një krizë nga e cila Shqipëria duhet të nxjerrë mësime përpara procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për agjencinë ItalPress, ai u shpreh se një nga mësimet kryesore lidhet me nevojën për më shumë konsensus në vendimmarrje.
“Siç thoshte Winston Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Besoj se ka gjëra për të mësuar, për të reflektuar, por ndërkohë askush nuk mund ta ndalojë procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Koha e humbur para se të arrihet në një qëndrim të përbashkët është problemi i vërtetë që duhet të adresojmë”, tha Rama.
Sipas tij, protesta që po vijon prej disa javësh ka hyrë në një fazë paradoksale dhe përfaqëson një betejë të karakterizuar nga humbje kohe dhe përplasje politike.
“U bë shumë zhurmë për diçka që, në fund të fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim, një tentativë për të gjetur një drejtim dhe zgjidhje. Fakti që sot kjo është pranuar nuk është një fitore, por një shembull tjetër i kohës së humbur në beteja që shpesh nuk janë as beteja të vërteta, por përplasje të kota në arenën publike,” u shpreh ai.
Kryeministri theksoi gjithashtu se protesta, sipas tij, nuk ka qenë e fokusuar te çështja e flamingove, por ka marrë një dimension më të gjerë politik.
“Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë histori në skenën ndërkombëtare. Nëse në nivel lokal bëhet fjalë për një çështje që përfshin grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë opozitën, në nivel ndërkombëtar ajo shndërrohet në një betejë kundër Donald Trumpit,” shtoi Rama.
Sa i përket projektit në Zvërnec dhe Sazan, Rama sqaroi se ai mbetet ende në fazë negociatash dhe se nuk është firmosur asnjë marrëveshje.
“Nëse më akuzojnë se ua kam dorëzuar këto toka dikujt ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të bregdetit shqiptar, atëherë le të sjellin prova. Deri tani, megjithatë, nuk është paraqitur asnjë provë. Askush, deri më sot, nuk ka vërtetuar asgjë. Nuk ka prova sepse procesi është ende në zhvillim,” deklaroi ai.
