Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” u inaugurua këtë të hënë, pas përfundimit të punimeve të rikonstruksionit dhe modernizimit të plotë të godinës.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi investimin si një transformim rrënjësor të një prej institucioneve më të rëndësishme shëndetësore në vend. Ai theksoi se, krahas ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore të godinës, janë krijuar edhe ambiente të reja që përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për nënat dhe foshnjat.
Rama u ndal edhe te puna e mjekëve dhe infermierëve, duke i falënderuar për përkushtimin e tyre, ndërsa kritikoi sulmet që, sipas tij, bëhen ndaj personelit shëndetësor.
“Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por shëndetësia është në të njëjtën kohë edhe në gojët e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.
Dhe dua të bëj atë që bëj gjithmonë kur më jepet mundësia, t’i shpreh respektin tim të gjithë mjekëve, infermierëve, të gjithë punonjësve të shëndetësisë, të cilët bëjnë punë të jashtëzakonshme dhe të cilët përballen po ashtu edhe me një furi të jashtëzakonshme fjalësh që nuk i meritojnë. Por kjo është jeta, kështu i kemi ndarë detyrat; disa duhet të bëjnë punën, disa nuk mbetet gjë tjetër veçse ‘t’i lehin karvanit’ që shkon përpara.”
Kreu i qeverisë tha se sistemi shëndetësor ka bërë progres të dukshëm gjatë dekadës së fundit, duke përmendur uljen e infeksioneve post-operatore dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve kirurgjikale.
Ai shtoi se në Shqipëri kryhen çdo vit rreth 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale, një volum që, sipas tij, dëshmon për punën e madhe të bluzave të bardha.
“Është një volum i jashtëzakonshëm shërbimi, i cili flet për faktin që mjekët dhe infermierët në Shqipëri i shërbejnë publikut, i shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë njerëzve që kanë nevojë për ta me dinjitet dhe si çdo gjë tjetër që ndodh fatkeqësisht në sistem dhe që i bie ndesh gjithë shumicës dërmuese të bluzave të bardha, nuk e ndyn dot pastërtinë e këtyre bluzave dhe natyrisht është pjesë e objektivit për ta bërë dhe më të mirë sistemin, për ta pastruar tërësisht nga çdo lloj kanali ku veje-vjen llumi i ryshfetit.”
Në fund të fjalës së tij, Rama premtoi se qeveria do të vijojë të rrisë pagat e personelit shëndetësor dhe të investojë për përmirësimin e kushteve të tyre të punës dhe mirëqenies së familjeve.
