Policia ka arrestuar Nikolla Agollin, i identifikuar si autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të një 35-vjeçari në Pogradec.
Agolli u vu në pranga në Prrenjas, falë bashkëpunimit mes Policisë së Pogradecit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Ndërkohë, efektivët po zhvillojnë kërkime në një zonë pranë liqenit, ku dyshohet se autori ka hedhur armën e përdorur në ngjarje.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 13:15 në lagjen nr. 3 të Pogradecit. Dyshohet se, pas një konflikti, Nikolla Agolli ka qëlluar me armë zjarri ndaj Brian Syzos, rreth 35 vjeç.
I plagosuri u transportua menjëherë në spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën mjekësore. Burime zyrtare bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve, ngjarja mund të lidhet me një konflikt të mëparshëm mes palëve. Në janar të vitit 2025, Nikolla Agolli ishte plagosur në një berberhane në lagjen nr. 1 të Pogradecit, ku autor i dyshuar ishte Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos. Ky episod po hetohet si një nga pistat që mund të ketë çuar në ngjarjen e sotme.
