Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas protestave të zhvilluara një ditë më parë para Kuvendit, ku u shënuan tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit.
Lamallari i cilësoi protestuesit e dhunshëm si “vandalë”, duke theksuar se veprimet e tyre nuk përfaqësojnë protestën në tërësi, por një grup të vogël personash që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë dhe kanë dëmtuar pronën publike.
“Ka dy momente që dua të veçoj bazuar në fakte. Dhuna në bulevard nisi me dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Protesta është e ligjshme, por nuk mund të goditen punonjësit e policisë e as gazetarët,” u shpreh ministri, duke shtuar se ka edhe kërkesa nga Unioni i Gazetarëve për mbrojtjen e tyre gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas Lamallarit, një grup i vogël personash ka shkaktuar dëme dhe ka ushtruar dhunë gjatë protestës, ndërsa i cilësoi ata si vandalë dhe jo përfaqësues të protestuesve.
“Një grusht personash që dëmtojnë pasurinë publike dhe dhunojnë çdo gjë nuk janë protestues, por vandalë. Policia vetëm ka reaguar pas dhunës së ushtruar,” tha ai.
Ministri theksoi gjithashtu se Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë të rregullt dhe profesionale gjatë gjithë situatës.
“Policia e Shtetit e ka bërë detyrën në mënyrë të përkryer. Një grusht personash vandalë nuk janë përfaqësues të protestuesve dhe do të përballen me ligjin,” deklaroi Lamallari.
