Rusia ka lëshuar një valë raketash dhe dronësh që kanë goditur Kievin gjatë natës së së hënës, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe dëme të mëdha në kryeqytetin ukrainas.
Ky është sulmi i dytë i madh brenda një jave ndaj Kievit, pas një tjetër goditjeje që më herët kishte lënë 31 të vrarë. Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi presidenti i Ukrainës paralajmëroi se një tjetër ofensivë në shkallë të gjerë ishte e mundshme.
Një ndërtesë banimi është shembur pjesërisht, ndërsa dyshohet se disa persona kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Po ashtu, disa ndërtesa shumëkatëshe janë dëmtuar rëndë.
Pamjet nga kryeqyteti ukrainas tregojnë rrugë të mbuluara nga rrënojat, makina të djegura dhe zjarre të shumta, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar.
Sulmi, që ka zgjatur për disa orë deri në mëngjes, ka përfshirë raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë. Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në të gjithë qytetin, ndërsa civilët janë strehuar në stacionet e metrosë.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy, në një postim në Telegram, ka përsëritur thirrjen për partnerët perëndimorë që të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, veçanërisht përmes furnizimit me raketa Patriot, duke paralajmëruar se mungesa e tyre vetëm sa e zgjat luftën.
Sulmi vjen vetëm një ditë përpara samitit të NATO-s në Ankara, ku liderët e aleancës pritet të diskutojnë zhvillimet më të fundit të luftës në Ukrainë dhe tensionet globale.
