Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zhvilluar këtë të martë operacionin e koduar “Basti i Fundit”, në kuadër të goditjes së aktivitetit të dyshuar të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë ushtruar në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit me iniciale A.S., në zonën e njohur si “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës. Operacioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara nga strukturat e Inteligjencës Operative të AMP-së.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan katër pajisje kompjuterike, katër monitorë, si dhe pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e paligjshëm të basteve sportive.
AMP bën me dije se po kryhen veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar, identifikimin e personave të përfshirë, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje të punonjësve të Policisë së Shtetit ose subjekteve të tjera që janë në fushën e mbikëqyrjes së Agjencisë.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie të dyshuar të paligjshme, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi që rezulton i përfshirë.
Në reagimin e saj, AMP rithekson angazhimin për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo aktiviteti të paligjshëm që favorizohet ose mbështetet nga punonjës të strukturave nën mbikëqyrjen e saj, duke garantuar hetime të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
