Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në aktivitetin “Rilindja 2.0”, një event i dedikuar prezantimit të projekteve të reja për zhvillimin dhe modernizimin e bashkive në të gjithë vendin.
Aktiviteti u çel me fjalën e ministrit të Pushtetit Vendor, Ervin Demo, i cili prezantoi një sërë nismash që pritet të zbatohen në nivel vendor në kuadër të paketës së re të investimeve.
Sipas Demos, aktualisht në vend funksionojnë 83 muze, ndërsa janë parashikuar 22 projekte konkrete, me synimin për të krijuar edhe 70 muze bashkiakë të rinj, të fokusuar në ruajtjen dhe promovimin e traditave dhe identitetit lokal.
Ministri bëri të ditur se një tjetër prioritet i qeverisë do të jetë adresimi i problematikës së parkimit në qytete. Për këtë qëllim është planifikuar një investim prej 120 milionë eurosh.
“Me këtë paketë dhe këtë mbështetje financiare, kjo paketë do të krijojë 70 muze bashkiakë, që do të fokusohen te traditat lokale. Ne po punojmë që të zgjidhim edhe çështjen e parkimit. 120 milionë euro do të harxhohen për ta zgjidhur këtë çështje”, u shpreh ministri Ervin Demo.
