Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar në Uashington me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, në margjinat e ministerialit kushtuar luftës kundër terrorizmit.
Gjatë takimit, dy ministrat shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale dhe perspektivat e bashkëpunimit në rajon.
Në një postim në platformën “X”, Hoxha bëri të ditur se i ka përsëritur homologut serb qëndrimin e qartë të Shqipërisë lidhur me deklaratat e fundit të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
“Ripërsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkroi Hoxha.
Kryediplomati shqiptar theksoi se dialogu mbetet rruga e vetme për adresimin e mosmarrëveshjeve.
“Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”, u shpreh ai.
