Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
OPED

Një sondazh për sharësit revolucionarë antiturizëm

11:34 / July 22, 20264 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Ylli Manjani

Një sondazh i Data Centrum, i publikuar në Euronews Albania në emisionin “Now”, u jep përgjigjen më të mirë sharësve revolucionarë. Ata që janë pyetur nga sondazhi nuk janë politikanë, analistë apo militantë. Janë pyetur drejtpërdrejt ata që kanë më shumë të drejtë të flasin: turistët, pasi kanë përfunduar pushimet e tyre në Shqipëri.

Përgjigjet janë shumë domethënëse.

Turistët vlerësojnë më së shumti mikpritjen, çmimet, detin dhe shërbimin që marrin. Pra, vlerësojnë pikërisht natyrën dhe atë që prodhon iniciativa private, si edhe punën e mijëra familjeve shqiptare që jetojnë me turizmin.

Ndërsa problemet më të mëdha që evidentojnë janë transporti, infrastruktura, mungesa e informacionit dhe pastërtia. Me një fjali: aty ku fillon përgjegjësia e shtetit, aty fillon edhe pakënaqësia e turistëve.

Pra, natyra dhe biznesi privat e kalojnë provimin. Shteti mbetet në riprovim.

Turistët e pyetur nuk shajnë shërbimin, ushqimin apo ndërtimet, siç bëjnë revolucionarët e inatosur të mediave e të rrjeteve sociale, të cilët nuk e njohin kënaqësinë e shprehjes “punë e mbarë”.

Turistët e pyetur nuk janë as qeveria, as opozita. Ata nuk bëjnë propagandën e pushtetit, as atë të revolucionarëve profesionistë të rrjeteve sociale. Ata janë njerëzit që kanë ardhur këtu me dëshirë dhe që lënë paratë e tyre në ekonominë shqiptare.

Nëse ka një zë që duhet dëgjuar për turizmin, është pikërisht ky.

Turizmi nuk është më thjesht një sektor i rëndësishëm. Ai është bërë një sektor jetik për ekonominë shqiptare. Mund të diskutojmë pafund nëse vendi duhet të mbështetet kaq shumë tek ai, nëse ekonomia duhet të diversifikohet më tepër apo jo. Ky është një debat krejt legjitim.

Por një fakt nuk ndryshohet me statuse, reels apo përshtypje dashakeqe online: sot mijëra familje jetojnë nga turizmi dhe miliona euro hyjnë në ekonominë shqiptare falë tij.

Prandaj ky sektor ka edhe një element që nuk matet me beton, as me kilometra rrugë. Ka një kapital të padukshëm që quhet imazh.

Një lajm i rremë. Një fushatë linçimi. Një ekzagjerim i qëllimshëm. Një video e nxjerrë jashtë kontekstit. Të gjitha këto nuk dëmtojnë vetëm reputacionin e një hoteli apo restoranti. Dëmtojnë vendimmarrjen e turistit të ardhshëm. Dëmtojnë rezervimet. Dëmtojnë xhiron. Dëmtojnë pagat e njerëzve që punojnë aty.

Prandaj sulmet sistematike ndaj bizneseve që vetë turistët i vlerësojnë nuk janë kritikë. Janë sabotim ekonomik. Sepse dëmtojnë jo vetëm biznesin, por edhe ekonominë e vendit.

Është paradoksale të sulmosh pikërisht ata që po mbajnë në këmbë një pjesë të ekonomisë shqiptare, ndërkohë që vetë turistët u japin notat më të larta.

Nëse ke zemërim, drejtoje aty ku duhet.

Shaje shtetin që nuk ndërton rrugë, jo ata që ndërtojnë. Shaje shtetin që nuk pastron mbeturinat, jo bizneset që shkëlqejnë nga pastërtia dhe shërbimi. Shaje shtetin që nuk organizon transportin publik, jo sipërmarrësin që pret çdo turist si mikun e shtëpisë së vet. Shaje shtetin që nuk informon turistët, jo privatin që përpiqet me mish e me shpirt t’u përcjellë atyre më të mirën e vendit.

Ka plot arsye për ta kritikuar e për ta sharë shtetin dhe, po, edhe ndonjë privat dallkauk, sepse pyll pa derra nuk ka. Por jo të sabotosh, të përçmosh dhe të përdhosësh punën e tjetrit, punë që vlerësohet lart nga përfituesit e saj të vërtetë.

Mos e shkarko mllefin idiot revolucionar, qoftë edhe për inat të shtetit tënd, mbi biznesin privat që, në kushte shpesh të vështira, përpiqet të shërbejë sa më mirë. Mos i godit njerëzit që kanë investuar kursimet e jetës së tyre, që punojnë pa orar dhe që mbajnë familjet e tyre me atë aktivitet.

Nëse nuk ke mundësi t’i ndihmosh, të paktën mos i saboto.

Sepse revolucioni që ushqehet me shkatërrimin e punës së tjetrit nuk është idealizëm. Është dhunë.

Dhe dhuna, edhe kur vishet me petkun e moralit, të gazetarisë apo të patriotizmit, mbetet gjithmonë dhunë.

antiturizem revolucionare sharesit sondazh Ylli Manjani
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Kur mendimi opozitar “merr malet”

22:35 / July 21, 2026

Rinovimi i PD, si protesta e flamingove

21:33 / July 21, 2026

36 bashki apo më shumë?

15:06 / July 21, 2026

Përpjekja për ta bërë edhe SPAK-un organ të revolucionit

13:06 / July 21, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.