Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe Instituti Kombëtar i Tumoreve në Milano (INT) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, që synon modernizimin e shërbimit onkologjik në Shqipëri dhe afrimin e tij me standardet më të avancuara europiane.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cilësoi këtë partneritet një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi shëndetësor modern dhe të orientuar te pacienti.
Sipas saj, bashkëpunimi do të mundësojë forcimin e kapaciteteve profesionale, standardizimin e protokolleve sipas praktikave më të mira europiane, si dhe integrimin e teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, diagnostikën digjitale, telemjekësinë dhe sistemet moderne të vendimmarrjes klinike.
Marrëveshja parashikon ngritjen e Qendrës së Studimeve Klinike pranë QSUT-së, duke i dhënë Shqipërisë mundësinë të marrë pjesë në kërkimin shkencor ndërkombëtar dhe t’u ofrojë pacientëve akses më të hershëm në terapi inovative.
Po ashtu, ajo synon harmonizimin e protokolleve diagnostike dhe terapeutike me standardet europiane, zhvillimin e diagnostikës molekulare dhe përdorimin e teknologjive si telepatologjia dhe telekonsulta për rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve onkologjike.
Një tjetër objektiv i marrëveshjes është krijimi i Rrjetit Kombëtar Onkologjik Shqiptar, me QSUT-në si qendër kombëtare referimi, për të garantuar standarde të unifikuara dhe akses të barabartë në shërbimet onkologjike në të gjithë vendin.
Partneriteti do të mbështesë gjithashtu transferimin e ekspertizës në vlerësimin e teknologjive shëndetësore, mjekësinë e bazuar në vlerë dhe menaxhimin shëndetësor, duke kontribuar në hartimin e politikave të bazuara në evidencë.
Ministrja Sala falënderoi partnerët italianë për bashkëpunimin dhe theksoi se kjo marrëveshje është pjesë e reformave që synojnë modernizimin e sistemit shëndetësor dhe afrimin e tij me modelet më të avancuara europiane.
