Një ditë pasi kryeministri Edi Rama prezantoi reflektimet e tij mbi protestat në Tiranë dhe njoftoi dokumentin strategjik “BESA”, janë zbardhur detaje të planit që do të udhëheqë qeverisjen në mandatin e katërt.
Sipas dokumentit, projekti i Zvërnecit, që u bë edhe zanafilla e protestave, do të jetë testi i parë i metodës “BESA”, një model i ri qeverisjeje që synon të vlerësojë çdo politikë, reformë dhe vendimmarrje të qeverisë.
Plani parashikon që brenda një periudhe 90-ditore të zhvillohen dëgjesa në terren me banorë, studiues, shkencëtarë, sipërmarrës dhe grupet që protestuan, përpara se të merret një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e projektit.
“Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në Flamingo Mirror”.
Dokumenti thekson se procesi nuk nis me një vendim të paracaktuar për projektin, por lë të hapura të gjitha alternativat.
“Alternativat janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat. Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor”.
Në dokument theksohet se “BESA” synon të shënojë një transformim të ri në mënyrën e qeverisjes, duke e vendosur qytetarin në qendër të vendimmarrjes.
“Kthesa e mandatit të katërt është edhe kalimi nga logjika e ndërtimit, te kultura e kujdesit. Nga investimi si ngjarje, te përkujdesja si standard. Nga miratimi i një ligji, te përvoja e përditshme e qytetarit lidhur me ligjshmërinë. Ky është transformimi që do të përcaktojë dekadën e ardhshme të zhvillimit shqiptar. Një shtet i drejtë me njerëzit. Një administratë që respekton afatet. Një shërbim publik që sillet me dinjitet. Një institucion që pranon gabimin dhe garanton reagimin. Një qeveri që e ndan vendimmarrjen me publikun”.
Në përfundim të procesit do të realizohet edhe një analizë e mënyrës se si janë trajtuar sinjalet para nisjes së protestave, për të nxjerrë mësime për të ardhmen, ndërsa dokumenti thekson se ky proces “nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet”.
E gjithë ecuria do të publikohet në platformën “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingove), e cila, sipas dokumentit, do të përdoret në të ardhmen edhe për dosje të tjera me interes të lartë publik.
