Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar, zhvilloi një takim me efektivët e shërbimit zjarrfikës dhe trupat e Emergjencave Civile, në kuadër të përgatitjeve për përballimin e zjarreve gjatë sezonit veror.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se çdo verë përbën një sfidë të re për strukturat e emergjencave dhe se janë marrë masa konkrete në të gjithë territorin e vendit.
“Çdo verë është një sprovë e re. Janë marrë masa konkrete në të gjithë territorin e vendit, janë kryer mijëra inspektime teknike dhe janë organizuar takime ndërgjegjësuese”, u shpreh Lamallari.
Ai bëri të ditur se janë ashpërsuar masat ndëshkuese për zjarrvënësit, me dënime që mund të shkojnë deri në 15 vite burg, ndërsa njoftoi edhe investimin më të madh të viteve të fundit për shërbimin zjarrfikës.
“Po planifikojmë investimin më të madh të viteve të fundit për rinovimin e flotës së zjarrfikësve. Plot 130 mjete të reja zjarrfikëse do të financohen nga buxheti i shtetit”, deklaroi ministri.
Sipas tij, janë ndërtuar edhe katër stacione të reja zjarrfikëse në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë, ndërsa me aktin normativ të vitit 2026 janë shtuar 227 milionë lekë për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, fonde që do të përdoren edhe për përmirësimin e trajtimit financiar të efektivëve.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama shprehu solidaritet me Francën dhe Spanjën, të cilat po përballen me zjarre të mëdha, duke theksuar se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë nëse i kërkohet ndihmë.
“Dua t’ju përcjell shprehje solidariteti të gjithë kolegëve tuaj në Francë dhe Spanjë. Ne e kemi bërë edhe në të shkuarën falë jush, dhe jemi gati ta bëjmë përsëri nëse na kërkohet të japim ndihmën tonë modeste në kuadër të bashkëpunimit europian të mbrojtjes civile… sepse zjarri nuk njeh kufij, por dhe solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarreve nuk njeh kufij”, tha Rama.
