Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar një fundjavë me temperatura ekstreme në të gjithë vendin, duke ngritur alarmin edhe për rrezikun e shtuar të zjarreve në pyje.
Sipas njoftimit, Instituti i Gjeoshkencave ka informuar Mbrojtjen Civile për një rritje të ndjeshme të temperaturave dhe të rrezikut nga zjarret gjatë periudhës 29 korrik – 2 gusht 2026, me kulmin e situatës që pritet të regjistrohet ditën e diel.
Qarqet me nivelin më të lartë të rrezikut janë Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Vlora dhe Gjirokastra, ku pritet të regjistrohen temperaturat më të larta dhe kushte që favorizojnë përhapjen e zjarreve.
Për qarqet e tjera të vendit, dita e diel parashikohet të shoqërohet me një nivel rreziku “të moderuar” për zjarret në pyje.
Sipas raportit të Institutit të Gjeoshkencave, temperaturat do të vijojnë të rriten deri të shtunën, 1 gusht, kur pritet të shënohet edhe kulmi i valës së të nxehtit, me vlera që do të arrijnë deri në 39.5°C, veçanërisht në bashkinë e Peqinit.
Në zonat bregdetare temperaturat parashikohen të arrijnë deri në 38.9°C, në zonat kodrinore deri në 38.3°C, ndërsa në zonat malore deri në 33.3°C.
Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se rënia e temperaturave pritet të nisë nga 3 gushti, duke sjellë një lehtësim të kushteve atmosferike pas disa ditësh me vapë intensive.

