Pas vizitës në Kalludër të Zubin Potokut, ku për të tretën ditë po vijojnë gërmimet pasi dyshohet për ekzistencën e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë, kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj deklaroi se është konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore, por theksoi se procesi i identifikimit është i ndërlikuar dhe kërkon kohë.
“Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standarde për marrjen dhe identifikimin e secilit trup përmes ADN-së. Mirëpo, këto mbetje nuk mund të tërhiqen aq lehtë, sepse paraprakisht duhet të rikonstruktohet trupi i njeriut e pastaj të dërgohet në Mjekësinë Ligjore, për të vazhduar më tej me procedurat e tjera”, tha Isufaj.
Duke vlerësuar punën që institucionet përgjegjëse po kryejnë në terren, Isufaj bëri thirrje të tregohet kujdes me deklaratat mbi këtë çështje.
“Unë edhe më herët kam bërë thirrje që të mos deklarohemi shumë për këtë rast, sepse gjithçka është ende herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit, e natyrisht mund ta devijojnë edhe rezultatin përfundimtar”, tha ai.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar dy serbë që dyshohen për përfshirje në vrasjen e 23 civilëve shqiptarë, që dyshohet se janë “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999.
