Propozimi i socialistëve për hartën e re territoriale ishte një raport që s’mund të paraqitej në komision, tha Sali Berisha, por u prezantua në parlament. Në konferencën për shtyp, kreu i PD tha se Edi Rama kuptoi që ishte “betejë e humbur” dhe “u tërhoq në mënyrë të njëanshme.” Shkrirjen e 15 bashkive Berisha e quajti qëllim shpopullimi e pasurimi të kryeministrit.
“Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur. E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe dhe se kudo që shkuan në konsulta, u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD. U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që nuk u paraqit në komision, që nuk mund të paraqitej kurrë në parlament, dhe e publikoi atë në të cilin tregon se në krimin e tij monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës. Në vendin që 80% të sipërfaqes e ka male dhe kodra, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës vetëm për qëllime shpopullimi, për qëllimi pasurimi”, tha Berisha.
Ai përgëzoi edhe banorët e Poliçanit për protestën e tyre në përgjigje të draftit të PS për ‘Territorialen’ duke nxitur edhe banorët e bashkive të tjera të ndjekin të njëjtin shembull.
Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas tij, shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit. 39 njësi vendore të reja shtohen kryesisht në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.
