Drafti socialist për reformën e re administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ka nxjerrë hapur kundërshtimet e disa kryetarëve të bashkive që rrezikojnë të shkrihen, mes tyre Juliana Memaj e Dimalit, Fation Duro i Patosit dhe Leonard Hide i Libohovës, të cilët i janë bashkuar protestave të banorëve kundër hartës së re. Por për analistin Kreshnik Spahiu, pas shumë prej këtyre reagimeve nuk fshihet interesi i qytetarëve, por përpjekja për të ruajtur pushtetin lokal.
“Shpesh herë, kryetarët e bashkive e trajtojnë këtë si një merak të një bajraktari për dashurinë që kanë ndaj kolltukut dhe janë të gatshëm të kenë tendenca separatiste, të shkojnë deri në shpalljen e një autonomie nga Shqipëria, vetëm që të ruajnë pushtetin e tyre”, u shpreh Spahiu gjatë një interviste për mediat.
Sipas Spahiut në të gjithë debatin mbi ndarjen e re territoriale ajo që është anashkaluar është e drejta e përfaqësimit. Ai argumenton se praktika e kryetarëve që sillen si bajraktarë duke jetuar e firmosur në Tiranë duhet të marrë fund.
“Qeveria dhe opozita duhet të argumentojnë nëse ndarja e re i përfaqëson më mirë a më keq, a i përfshin në vendimmarrje, a ka transparencë, a do qeverisen më mirë a më keq. Ne nuk mund të jemi në rikthimin tragjik tek ndarja në 350 komuna ku kryetarët ishin bajraktarë që jetonin në Tiranë dhe vendimet i firmosnin nga shtëpitë që kishin në Bllok. Kjo histori duhet të marrë fund . Ndarja nuk duhet bërë në bazë të asaj në kemi kryetar të fortë apo të dobët por në bazë të përfaqësimit por edhe duke mos humbur identitetin dhe traditat kulturore të këtyre zonave” tha Spahiu.
