Territori shqiptar përgjatë gjithë 24-orëshit do të jetë nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku në orët e para të mëngjesit dhe të mesditës parashikohet që kthjellimet të mbizotërojnë në të gjithë vendin tonë.
Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës sjell kalime të lehta të vranësirave, të cilat më të dukshme do të jenë në skajin verilindor dhe juglindor të Shqipërisë. Pritet që vija bregdetare, edhe përgjatë pasdites, të dominohet kryesisht nga kthjellimet.
Temperaturat e ajrit do të vijojnë të rriten në vlerat minimale dhe maksimale, duke luhatur vlerat ditore nga 15°C, temperatura më e ulët e shënuar në zonën malore, deri në 40°C, vlera më e lartë në rang vendi.
Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë.
