Marrëdhënia mes prindit dhe fëmijës ndërtohet mbi besimin, komunikimin dhe ndjenjën e sigurisë. Psikologët paralajmërojnë se disa fjali të thëna nga fëmijët mund të jenë sinjal se ata nuk ndihen më të lirë të ndajnë emocionet, shqetësimet apo gabimet e tyre me prindërit.
Sipas ekspertëve të zhvillimit të fëmijëve, një nga shprehjet më shqetësuese është: “Kam frikë të të tregoj.” Kjo mund të tregojë se fëmija pret kritikë, ndëshkim ose mendon se nuk do të kuptohet nëse flet hapur.
Një tjetër frazë që nuk duhet neglizhuar është “Nuk do të më kuptosh.” Kur fëmija mendon se emocionet ose problemet e tij nuk do të merren seriozisht, ai fillon të mbyllet dhe të ndajë gjithnjë e më pak nga përjetimet e tij.
Edhe shprehje si “Nuk ka rëndësi”, “Ti kurrë nuk më dëgjon” apo “Gjithsesi nuk do të më kuptosh” mund të jenë shenja të një distance emocionale që po krijohet mes prindit dhe fëmijës.
Psikologët shpjegojnë se këto situata nuk lidhen domosdoshmërisht me mungesën e dashurisë nga ana e prindërve. Lodhja, stresi dhe ritmi i përditshëm ndikojnë shpesh në mënyrën e komunikimit, duke bërë që emocionet e fëmijës të minimizohen pa qëllim.
Shprehje si “Mos qaj”, “Po e tepron”, “S’është asgjë” ose “I ke të gjitha, çfarë të mungon?” mund t’i japin fëmijës ndjesinë se ndjenjat e tij nuk kanë rëndësi, edhe kur prindi synon ta qetësojë.
Ekspertët këshillojnë që prindërit të dëgjojnë me vëmendje, pa ndërprerë dhe pa gjykuar. Në vend të minimizimit të problemit, një përgjigje si “E shoh që kjo është e rëndësishme për ty. Më trego çfarë ndodhi” e ndihmon fëmijën të ndihet i dëgjuar dhe i pranuar.
Një tjetër element i rëndësishëm është aftësia e prindit për të pranuar gabimet dhe për të kërkuar falje kur ka reaguar në mënyrë të gabuar. Kjo i mëson fëmijës se marrëdhëniet mund të riparohen dhe se komunikimi mbetet gjithmonë i hapur.
Sipas specialistëve, besimi nuk ndërtohet me përsosmëri, por me praninë, dëgjimin dhe sigurinë që fëmija ndien se mund t’i drejtohet prindit në çdo situatë, pa frikë dhe pa paragjykim.
