Një 20-vjeçar në Korçë mbeti i vrarë pasditen e së shtunës në lagjen 14.
Mësohet se shkak ka qenë një konflikt i mbartur, midis autorit Kristjan Sterjo e viktimës Joan Zuko, për të cilin autoritetet kanë qenë në dijeni dhe e ndiqnin prej kohësh. Sipas zv. drejtorit të Hetimit të Krimeve, Sejfulla Metkos, konflikti ka nisur fillimisht me dy grupeve dhe më pas ka përfunduar me vrasjen e 20-vjeçarit.
Sterjo e ka ndjekur të riun, teksa përpiqej të fshihej në një pallat. Më pas e ka qëlluar nga pas me kallashnikov viktimën, ndërsa ngjiste shkallët, në katin e tretë. Në trupin e 20-vjeçarit ka vetëm një plagë në pjesën e poshtme të shpatullës, plumb i cili i ka dalë nga ana tjetër.
Viktima ka pasur me vete edhe një thikë, e cila i është gjendur në dorë.
Pas vrasjes, autori është arratisur dhe është parë të ikë drejt varrezave. Dyshohet se Kristjan Sterjo dhe Joan Zuko kanë qenë shokë pasi janë rritur bashkë. Viktima ishte mobilizuar si ushtar me rrogë prej më shumë se një viti dhe vetëm dy muaj më parë kishte lënë detyrën pasi do shkonte tek i vëllai në Angli.
Për autorin raportohet të jetë person me precedent penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Policia po vijon punën për kapjen e tij, teksa në banesën e tij kanë shkuar edhe forcat RENEA, por nuk e kanë gjetur. Në disa zona janë ngritur postblloqe dhe janë blinduar të gjitha akset kombëtare që lidhin Korçën me qytetet e tjera duke përqendruar forca të shumta policie në rrugët kryesore.
RENEA po kryen kontrolle edhe te varrezat, vend ku dyshohet se fshihet Kristjan Sterjo pasi pas vrasjes, u pa të largohej në drejtim të tyre.
Ndërkohë në komisariat janë shoqëruar 3 të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.
Banorët e zonës janë shprehur se nuk njihnin asnjërin prej dy djemve, teksa ngjarja e kësaj pasditeje i ka lënë të tronditur.
