Shqipëria i është përgjigjur deklaratave të Serbisë lidhur me Kosovën dhe lumin Ibër, duke hedhur poshtë akuzat për pretendime territoriale apo për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”.
Në reagimin e Kryeministrit Edi Rama theksohet se Kosova është shtet më vete, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen.
“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Sa i përket lumit Ibër, Shqipëria e cilëson atë si një sistem ujor ndërkufitar, duke argumentuar se menaxhimi i burimeve ujore nga Serbia nuk mund të shpërfillë pasojat e mundshme për një shtet tjetër.
Në përfundim, Shqipëria shprehet se dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë dhe integrimin e të gjithë rajonit në Evropë. Megjithatë, theksohet se fqinjësia e mirë kërkon edhe pranimin e kufijve që ekzistojnë sot.
“Pa harta sekrete, pa kufij të fshehur, pa asnjë ‘Shqipëri të Madhe’”, përfundon reagimi.
