Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pyjet në zonën e Borie-Lurës, në Dibër. Emergjencat Civile të Bashkisë Dibër janë njoftuar pak orë më parë për rënien e zjarrit, ndërsa flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore në Parkun Kombëtar të Lurës.
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, ka kërkuar ndërhyrje nga ajri dhe toka për të frenuar përhapjen e flakëve.
Në terren kanë mbërritur dy helikopterë, të cilët po operojnë nga ajri për shuarjen e zjarrit. Paralelisht, në operacion janë angazhuar 13 zjarrfikës, 7 punonjës të Njësisë Administrative Lurë, 20 vullnetarë nga fshatrat përreth, 14 punonjës të Drejtorisë së Bujqësisë Dibër, 8 punonjës të ADZM Dibër dhe 4 punonjës të Drejtorisë së Emergjencave Civile.
Forcat në terren po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa ndërhyrja po përqendrohet në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës.
Puna për shuarjen e zjarrit vijon.



