Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ka udhëzuar sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, që të “reduktojë ndjeshëm” stërvitjet e përbashkëta ushtarake të planifikuara me Korenë e Jugut, duke përmendur kostot e tyre dhe marrëdhënien e tij me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Në një reagim në llogarinë e tij në Truth Social, Trump tha se nuk ishte i kënaqur me faktin që Shtetet e Bashkuara kishin rënë dakord më herët të merrnin pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut.
“Bazuar në marrëdhënien time shumë të mirë me Kim Jong Un të Koresë së Veriut, nuk jam i kënaqur me faktin që Shtetet e Bashkuara, shumë kohë më parë, kanë rënë dakord të marrin pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan argumentoi se këto stërvitje janë të kushtueshme dhe, sipas tij, përbëjnë një sinjal të papërshtatshëm dhe armiqësor ndaj Phenianit.
“Këto stërvitje jo vetëm që janë të kushtueshme, me shumicën e këtyre kostove të paguara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (si zakonisht!), por dërgojnë një sinjal që është krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor, për një vend që, për sa kohë që Donald J. Trump ka qenë President, ka qenë jo kërcënues dhe respektues”, deklaroi ai.
Trump e lidhi gjithashtu vendimin me një bisedë të zhvilluar së fundmi me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung. Sipas Trump, ai e kishte pyetur liderin koreano-jugor nëse Seuli do t’i bashkohej Washingtonit në përpjekjet për të “denuklearizuar Iranin”, por kishte marrë përgjigjen: “Jo, faleminderit”.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur administrata amerikane po rishikon angazhimet dhe strategjinë ushtarake të SHBA-së në rajonin e Indo-Paqësorit, ndërsa marrëdhënia me Korenë e Veriut mbetet një nga çështjet kryesore të sigurisë në rajon.
