Në Policinë e Shtetit do të krijohet një njësi e re me fokus të posaçëm te krimet mjedisore. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit në 12 qarqe.
Gjatë takimit, Lamallari, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kërkoi një qasje më proaktive ndaj rasteve të zjarreve dhe hetimit të shkaqeve të tyre.
“Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale”, deklaroi Lamallari.
Ministri theksoi se çdo zjarr i dyshimtë duhet të hetohet profesionalisht, në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, komunitetin, si dhe përmes përdorimit të teknologjisë dhe ekspertizës forenzike brenda dhe jashtë vendit.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe autor i dyshuar të ndiqet deri në fund.
“Vetëm zjarret këtë vit, dëmi i tyre është i pallogaritshëm, si në fondin pyjor. Sa vite, sa gjenerata i duhet atij fondit pyjor të rikuperohet?”, u shpreh Lamallari.
Hita: Fokus te siguria publike, rrugore dhe detare
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kërkoi nga drejtuesit vendorë më shumë angazhim në tre komponentë kryesorë të sigurisë: sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe sigurinë detare.
“Kushtojini rëndësi të tre komponentëve të sigurisë: Sigurisë Publike, Sigurisë Rrugore dhe Sigurisë Detare. Reagoni në kohë, si në parandalim, ashtu edhe në ndjekjen dinamike dhe profesionale të konflikteve dhe shqetësimeve të qytetarëve”, deklaroi Hita.
Sipas tij, çdo komponent i sigurisë kërkon angazhim dhe përgjegjshmëri, ndërsa rezultatet varen nga mënyra se si secili punonjës e përmbush detyrën.
Hita theksoi se performanca e Policisë nuk matet vetëm me rezultatet në terren, por edhe me mënyrën e komunikimit me qytetarët dhe median.
“Qytetarët duhet ta kenë Policinë pranë, të marrin përgjigje në kohë dhe të shohin profesionalizëm në çdo situatë”, u shpreh ai.
Në përfundim, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi strukturat për punën dhe angazhimin, duke kërkuar që këto porosi të reflektohen në punën e përditshme të strukturave policore.
