Pas viteve të dashurisë, momenteve të bukura dhe një jete të ndërtuar së bashku, Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez i dhanë fund pritjes për “po”-në e shumëpritur. Çifti zgjodhi ta kurorëzonte dashurinë larg zhurmës, luksit dhe kamerave, në një ceremoni intime në shtëpinë e tyre.
Tashmë, disa ditë pas martesës, janë publikuar pamjet e para nga ky moment i veçantë, duke zbuluar emocionet dhe atmosferën e dasmës së fshehtë. Në vend të një dasme tradicionale dhe madhështore, me qindra të ftuar dhe një ceremoni luksoze, Ronaldo dhe Georgina preferuan një moment familjar dhe shumë më personal.

Të dy kanë shpjeguar se dëshironin që kjo ditë të kishte në qendër familjen dhe jo spektaklin. Georgina u shfaq me një veshje elegante të bardhë prej mëndafshi, ndërsa Ronaldo zgjodhi një kostum në ngjyrë bezhë.
Edhe fëmijët e çiftit, ndër të vetmit që morën pjesë së bashku me dy çifte të afërm të dyshes, ishin të veshur në mënyrë të koordinuar, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe familjare.
Pavarësisht ceremonisë së vogël, çifti nuk e përjashton mundësinë e organizimit të një feste më të madhe në të ardhmen, ku mund të jenë të pranishëm familjarët dhe miqtë e tyre.

Pas ceremonisë civile, çifti mori edhe një bekim fetar në Shenjtëroren e Zojës së Fatimës, në një tjetër moment privat dhe emocional.
