Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar mëngjesin e kësaj të mërkure përmes një postimi në rrjetet sociale, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Ksamil, ku një turist 20-vjeçar humbi jetën pas një konflikti.
Krahas një fotografie të qytetit të Sarandës, Lamallari shkruan se respektimi i rendit ligjor dhe të drejtave të njeriut duhet të shkojë paralelisht, ndërsa paralajmëron një reagim të fortë të Policisë së Shtetit ndaj personave që sfidojnë ligjin.
“Balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor vlen për qytetarët dhe mbron shoqërinë. Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, shkruan ministri.
Reagimi vjen pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Sipas të dhënave paraprake, 29-vjeçari nga Hasi dyshohet se e ka goditur disa herë me thikë turistin, pas një konflikti që nisi në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas vijoi jashtë lokalit “Paradise”.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i krimit, ndërsa policia ka vijuar punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe kapjen e personave të përfshirë.
Policia ka bërë me dije gjithashtu se në ngjarje dyshohet të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë. Mes tyre është identifikuar shtetasi me inicialet D.H., bashkëmoshatar i autorit të dyshuar, i cili aktualisht është shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta, të lidhura me një vajzë.
