Reshjet e shiut dhe ndërhyrja nga ajri e toka kanë ndihmuar në shuarjen e disa vatrave të zjarrit në Qarkun e Dibrës. Situata e krijuar ditët e fundit në zona të ndryshme të qarkut ka qenë nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave, shërbimet zjarrfikëse dhe njësitë e pushtetit vendor.
Sipas burimeve pranë Prefekturës së Dibrës, falë reshjeve të shiut, ndërhyrjes së forcave në terren dhe mbështetjes nga ajri, janë neutralizuar disa vatra zjarri në Lurë, Lufaj, Bruç dhe zona të tjera të prekura. Megjithatë, situata ende nuk është konsideruar plotësisht e mbyllur, pasi vijon të jetë aktive një vatër zjarri në Fushë-Bulqizë, Bashkia Bulqizë, ndërsa një tjetër vatër në Njësinë Administrative Selishtë, Bashkia Dibër, vijon të mbahet nën kontroll dhe monitorim.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat përkatëse të të dyja bashkive janë të angazhuara në terren, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë për të parandaluar përhapjen e flakëve në zona të tjera. Puna do të vijojë deri në neutralizimin dhe shuarjen e plotë të vatrave. Strukturat e emergjencave u bëjnë thirrje banorëve që të tregohen të kujdesshëm, veçanërisht në zonat pyjore dhe kullotat, dhe të raportojnë menjëherë çdo shenjë zjarri, pasi temperaturat e larta dhe terreni i thatë favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.
Aktualisht, situata në Qarkun e Dibrës vijon të jetë nën monitorim të pandërprerë nga strukturat përgjegjëse, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pyjeve dhe pasurive të komuniteteve.
