Flakët e zjarrit kanë përparuar për shkak të erës, duke iu afruar banesave në lagjen Pepaj, fshati Gojan i Madh, në Pukë. Media ka ndjekur nga afër evakuimin e banorëve. Policia ndërhyri për të shpëtuar banorët.
“Lëvizni të gjithë, jashtë, jashtë!”, janë thirrjet e policisë.
Banorët e alarmuar ikin me sytë këmbët, duke u përpjekur të marrin me vete edhe sendet personale.
“Po merr flakë shtëpia. Unë po zbres poshtë, por nuk mund të iki pa u siguruar për shtëpinë. Po zbres deri në qendër, por do të vij sërish këtu”, tha një banor. “Kjo është situata kaotike e shkaktuar nga flakët, të cilat kanë përfshirë masivin pyjor dhe kanë zbritur në zonën e banuar”, thotë një banor tjetër.
Në Gojan të Madh ka mbërritur një helikopter, i cili po hedh ujë në vatrën më problematike, ndërsa në terren janë edhe forcat zjarrfikëse. Deri më tani raportohet për 4 banesa të djegura.
Vatra e zjarrit është tejet masive dhe e vështirë për t’u vënë nën kontroll. Kjo vatër është vazhdim i zjarrit që ka nisur prej një jave në kurorën e Tërbunit, ku janë djegur 120 ha me pyje.
Në Mirditë, dy vatra zjarri me përmasa të mëdha janë aktivizuar në zonat e Tenës dhe Kodër Rrëshenit. Flakët po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga bimësia e dendur dhe temperaturat e larta, duke iu afruar banesave.
Deri tani janë evakuuar 4 familje, ndërsa situata mbetet e vështirë dhe pritet të ketë edhe evakuime të tjera. Strukturat e emergjencës dhe shërbimet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
Deri në orën 14:00 janë regjistruar 16 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 2 nën mbikëqyrje. Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar 240 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.
