Një aksident me dy mjete lundruese Jet Ski është regjistruar mbrëmjen e djeshme, 23 gusht, në liqenin e Kukësit.
Sipas Policisë, rreth orës 18:15, shtetasi E. T., 29 vjeç, duke drejtuar një Jet Ski në të cilin ndodhej edhe E. P., 46 vjeç, është përplasur aksidentalisht me një tjetër mjet lundrues.
Ky i fundit drejtohej nga shtetasi B. H., i cili po afrohej në breg për të ankoruar Jet Ski-n.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të dëmtuar lehtë E. T. dhe E. P. Ata janë transportuar në spitalin e Prizrenit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
29-vjeçari E. T. është proceduar penalisht për veprën “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”. Dy mjetet lundruese janë sekuestruar si prova materiale. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
