Një ditë pas mbledhjes me ministrat dhe drejtuesit politikë, kryeministri Edi Rama zhvillon sot takimin me të deleguarit politikë dhe deputetët e qarkut të Tiranës. Në fokus të diskutimeve pritet të jetë zbatimi në terren i dokumenteve “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe organizimi i punës në kryeqytet.
Në mbledhjen e djeshme, Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë në qarqe të jenë në krye të këtij procesi dhe të kenë një prani më të madhe në zonat e tyre elektorale. Bashkë me strukturat e Partisë Socialiste, deputetët dhe kryetarët e bashkive, ata do të hartojnë një axhendë takimesh me qytetarët për të evidentuar shqetësimet dhe problematikat e komuniteteve.
Në fokus do të jenë çështje që lidhen me rrugët, mbetjet, investimet, por edhe problematika individuale të qytetarëve.
Shqetësimet e mbledhura gjatë takimeve në terren do t’u përcillen ministrive përgjegjëse, ndërsa ndjekja institucionale e tyre deri në zgjidhje do t’i ngarkohet një zëvendësministri.
Kjo është mënyra përmes së cilës socialistët synojnë të zbatojnë dokumentin “Besa”, që vendos në qendër dëgjimin e qytetarëve. Ndërkohë, “Prania Besnike” parashikon një angazhim më të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve politikë në territor.
Gjatë mbledhjes së djeshme u diskutua edhe për ndryshimet ligjore që kërkon platforma e re “Pasqyrë Albania”, e prezantuar nga Rama në Pogradec. Synimi është që përmes saj të grumbullohen, trajtohen dhe ndiqen ankesat e qytetarëve, të cilat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh.
Platforma parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve, dhe “Radar”, që do të ndjekë rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Takimi i sotëm për Tiranën merr një rëndësi të veçantë edhe në kuadër të përgatitjeve politike për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Mbledhja vjen vetëm një ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj, nga qelia, tërhoqi delegimin e kompetencave për Anuela Ristanin, duke argumentuar se ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij.
