Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet të marrë pjesë në një konferencë të Partisë Republikane në Teksas, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e mesmandatit.
Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha tha se është ftuar si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë drejtues të rreth 30 partive anëtare.
Sipas tij, Partia Republikane Amerikane do të zhvillojë në Teksas një konferencë në kuadër të zgjedhjeve “mid-term”, ndërsa delegacioni i Unionit Demokrat Ndërkombëtar do të jetë pjesë e këtij aktiviteti.
“Partia Republikane Amerikane zhvillon në Teksas konferencën për zgjedhjet e mid-term, që i quajnë ata zgjedhjet në mes të mandatit. Dhe Unioni Demokrat Ndërkombëtar, në të cilin Partia Republikane ka peshën më kryesore, se është partia më e madhe me të gjitha ato, ka krijuar një delegacion me kryetarët e rreth 30 partive të këtij unioni për të marrë pjesë në konferencën në Teksas”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së bëri të ditur se ka marrë edhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan, i cili sipas tij është i lidhur me konferencën.
“Por përveç kësaj ftese në përbërje të delegacionit, unë kam dhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan që ka lidhje me këtë konferencë. Kështu që unë pres dokumentet dhe do marr pjesë”, u shpreh ai.
Sa i takon takimeve që mund të zhvillojë gjatë vizitës në SHBA, Berisha tha se ende nuk ka një axhendë të përcaktuar, por pritet që ajo të konkretizohet gjatë ditëve në vijim.
“Për sa i përket takimeve, nuk kam fiksuar, por shpresoj që të fiksoj gjatë ditëve të ardhshme”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.
