Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus te Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se qeveria po përgatitet për një program kombëtar, ku të gjithë do kenë mundësi të thonë fjalën e tyre dhe të kenë vendin e tyre.
Sipas Ramës, ky sektor ka njohur zhvillim dinamik, si dhe ka pasur rritje domethënëse të pagave.
“Ne po përgatitemi për program kombëtar, ku të gjithë do kenë mundësi të thonë fjalën e tyre dhe të kenë vendin e tyre. Të gjitha temat e diskutimit, janë në dinamikë të jashtëzakonshme. Mund të bëjmë kapërcime të mëdha falë teknologjisë, por dhe një sinjal alarmi, nëse nuk ecim me ritmin e saj. Janë 3 elementë që duhet të mbahen parasysh. Së pari, problemet reale, zgjidhje të bazuara në njohje të plotë. E dyta, propozime konkrete të zbatueshme. E treta, gatishmëri për t’u angazhuar së bashku. Sektori i teknologjisë eksporton 242 milionë euro produkte, 3 herë më shumë se një vit më parë. Janë rreth 30 mijë profesionistë. 7 nga 10 protagonistë të këtij sektori, janë nën moshën 35 vjeç. Sot kemi rritje pagash domethënëse në këtë sektor. Sektori ka peshë të lexueshme prej 2.2 përqind, duhet të jetë më e lartë”, theksoi ai.
