Avokatët kanë vendosur bojkot pa afat të seancave gjyqësore në GJKKO, në kundërshtim të rregullores së re që, përveç kufizimeve ndaj mediave, nuk lejon as përdorimin e celularëve nga mbrojtësit gjatë gjyqeve.
Vendimi u mor nga Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pas mungesës së një reagimi nga Gjykata e Posaçme ndaj kërkesës së avokatëve për rishikimin e rregullores dhe ka hyrë në fuqi duke hyrë nga ky moment.
“Për avokatët që nuk zbatojnë bojkotin do të ketë masa disiplinore”, tha Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë i bëri kërkesë GJKKO që të pezullojnë menjëherë rregulloren e re dhe avokatët të mbajnë celular në sallën e gjyqit.
“Pezulloni menjëherë rregulloren e re. Na garantoni të drejtën për të mbajtur celular në sallë. KLGJ të ndërhyjë për pezullimin e rregullores së re”, thanë ata.
Një ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të kësaj rregulloreje është kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia. Më 1 shtator, ditën që rregullorja hyri në fuqi, ai i dorëzoi një kërkesë Gjykatës së Posaçme për rishikimin e dispozitave që prekin komunitetin e avokatëve.
Sipas avokatëve, moslejimi i celularëve në seanca prek drejtpërdrejt ushtrimin e profesionit të tyre.
“Duke parë fashën që ka kjo Gjykatë dhe veprat penale që gjykon, dihet që ne nuk futemi në preferencën e kësaj gjykate. Kjo nuk duhet të përçohet në këtë lloj forme. Unë kam qenë viktimë e Gjykatës së Posaçme dhe kam pasur mbështetjen e Dhomës së Avokatisë. Ne kemi një pozicion ndryshe dhe nuk mund të na trajtojnë në këtë lloj forme. Po ashtu edhe kontrollet që bëhen, mendoj të shmangen. Kjo rregullore është bërë vetëm për të ngushtuar punën e avokatëve. Nëse nuk ka një reflektim nga Gjykata e Posaçme do të fillojmë me bojkot, nuk ka asnjë negociatë”, tha një avokat.
Edhe mediat, si dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, kanë kundërshtuar rregulloren, duke argumentuar se ajo cenon të drejtën e informimit.
