Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshin “Skënderbeu” dhe disa rrugë në Prishtinë, për të kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënuan 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vite burg në total.
Të pranishëm në tubim janë parë edhe Endri Thaçi e Klestor Veseli, djemtë e ish-Presidentit Hashim Thaçi, dhe Kadri Veselit.
Protesta po zhvillohet nën moton ‘jo në emrin tim’, kundër vendimit të Speciales. Të pranishmit janë dëgjuar teksa thërrisnin ‘UÇK’ në kor. Ata mbanin në duar flamuj e simbole kombëtare dhe ndezën edhe flakadanë.
Kujtojmë se më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burg, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burg.
Katër ish-krerët u shpallën fajtorë për disa vepra penale të lidhura me krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për disa prej akuzave për krime kundër njerëzimit.
