Një përplasje e re mes presidentit amerikan Donald Trump dhe mediave amerikane ka përshkallëzuar tensionet mes Shtëpisë së Bardhë dhe rrjeteve kryesore televizive.
Pas vendimit të rrjeteve për të pezulluar mbulimin e përbashkët televiziv të aktiviteteve presidenciale, administrata Trump ka lançuar “Trump TV”, një transmetim online 24 orë në ditë.
Platforma e re nisi transmetimin të hënën në mbrëmje dhe, sipas Shtëpisë së Bardhë, do të sjellë momente të rëndësishme të së kaluarës, njoftime dhe zhvillimet më të fundit nga administrata Trump. Transmetimi i parë ishte një fjalim i presidentit amerikan të mbajtur më 3 korrik në malin Rushmore.
Lançimi i “Trump TV” erdhi pasi ABC, CBS, NBC, Fox News dhe CNN, që përbëjnë grupin televiziv të Shtëpisë së Bardhë, pezulluan mbulimin e përbashkët të aktiviteteve të presidentit. Vendimi u mor pasi Shtëpia e Bardhë ndaloi aksesin e CNN, MS NOW dhe Politico në ambientet presidenciale.
Në një deklaratë të përbashkët, rrjetet argumentuan se publiku ka interes për të marrë informacion të saktë dhe të pavarur mbi aktivitetet e qeverisë dhe kundërshtuan kufizimin e një organizate mediatike për shkak të raportimit të saj.
Përplasja u shtri edhe në gjykata. CNN, MS NOW dhe Politico ngritën një padi kundër Trump dhe zyrtarëve të administratës, duke kërkuar rikthimin e aksesit të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Tre organizatat argumentojnë se vendimi shkel të drejtat e tyre të garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
Ndërkohë, disa media të tjera, përfshirë The New York Times dhe The Washington Post, iu bashkuan reagimit duke vendosur të mos publikojnë përkohësisht fotografi të presidentit të realizuara nga fotografët e tyre.
Shtëpia e Bardhë vazhdoi të transmetojë aktivitetet e presidentit përmes kanaleve të saj, ndërsa mungesa e ekipit të zakonshëm televiziv solli probleme me mbulimin. Gjatë një aktiviteti presidencial, zhurma e helikopterit Marine One bëri që deklaratat e Trump të ishin të vështira për t’u dëgjuar në transmetimin e siguruar nga Shtëpia e Bardhë.
Trump ka mbrojtur vendimin e administratës, duke kritikuar mediat që ai i konsideron si “lajme të rreme” dhe duke argumentuar se ato nuk duhet të kenë akses në Shtëpinë e Bardhë.
Seanca e parë gjyqësore për padinë e CNN, MS NOW dhe Politico është planifikuar për të mërkurën përpara gjykatësit federal Timothy Kelly. Çështja lidhet me aksesin e mediave në Shtëpinë e Bardhë dhe me pretendimin e organizatave se ndalimi i tyre cenon mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shtypit.
