Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur gjatë një konference, këtë të mërkurë, 30 shtator, se drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale parashikon mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore, me kërkesë të të pandehurit ose viktimës. Sipas Ramës, palët do të kenë të drejtën të njoftohen, të paraqesin kërkesat e tyre dhe të dëgjohen gjatë procesit gjyqësor.
Një tjetër ndryshim i parashikuar lidhet me përdorimin e provave, ku Rama theksoi se provat e marra në shkelje të ligjit nuk duhet të përdoren në proces.
“Palët duhet të njoftohen, të paraqesin argumentet e tyre dhe të dëgjohen. Me kërkesën e të pandehur dhe të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejtë duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave. Të nderuar të pranishëm, risia më e rëndësishme e kësaj pakete nuk është vetëm tek vendosja e një ekuilibri më të arsyeshëm mes akuzës dhe të drejtave. Është fakti se shkelja e të drejtave ka pasoja. Një e drejtë pa pasojë është vetëm një fjali e bukur në kod dhe një boshllëk për abuzim në realitet.
Prova e marrë në shkelje të ligjit nuk mund të përdoret. Akti i kryer duke cënuar garancitë humbet vlerën juridike. Gjykata mund ta konstatojë shkeljen edhe vetë pa pritur që ta kërkojë pala. Krahas pavlefshmërisë absolute dhe relative krijohet një regjim i ndërmjetëm për shkeljet serioze të së drejtës për t’u dëgjuar, për të ndërhyrë dhe për të paraqitur prova. Dhe përgjegjësia nuk mund të mbetet më pa emër. Gjyqtari që kufizon lirinë pa arsyetim të vetit, prokurori ose oficeri që përhap informacionin e mbrojtur, punonjësi që nuk regjistron marrjen në pyetje dhe oficeri që abuzon me flagrancën ose urgjencën duhet të përgjigjen personalisht. Shkelja mbetet shkelje edhe nëse në fund personi dënohet”, tha Rama.