Këngëtarja Rita Ora po përballet me një sërë zhvillimesh financiare dhe ligjore, ndërsa një prej kompanive të saj është mbyllur dhe ish-menaxherja e ka paditur për 3.8 milionë euro.
Rita dhe bashkëshorti i saj, regjisori Taika Waititi, themeluan në qershor 2024 kompaninë “Dog Entertainment Ltd”, por vetëm dy vjet më vonë nisën procedurat për mbylljen e saj. Kompania u shpërbë zyrtarisht në korrik, pa realizuar asnjë program televiziv
Megjithatë, të dhënat financiare të kompanive të tjera të këngëtares tregojnë se ajo vijon të ketë një aktivitet të konsiderueshëm financiar. “Ora Multi Services Ltd” kishte për të arkëtuar rreth 14.4 milionë euro, ndërsa në bankë kishte 2.8 milionë euro. Në të njëjtën kohë, kompania kishte edhe 9.2 milionë euro detyrime ndaj kreditorëve.
Krahas çështjeve financiare, Rita Ora po përballet edhe me një padi nga ish-menaxherja e saj, Sarah Stennett. Kjo e fundit pretendon se kompania e saj “FAE Ventures” nuk ka marrë rreth 3.8 milionë euro që i takonin sipas kontratës.
Padia lidhet me të ardhurat e Ritës nga koncertet dhe angazhimet televizive. Ish-menaxherja pretendon, ndër të tjera, se nuk janë raportuar saktë disa të ardhura nga “Phoenix World Tour” dhe nga pjesëmarrja e këngëtares në “The Masked Singer”.
Sipas dokumenteve gjyqësore, deri në 7 milionë euro të ardhura nga koncertet dyshohet se nuk janë përfshirë në deklaratat financiare. Rita Ora ende nuk ka paraqitur zyrtarisht mbrojtjen e saj ndaj padisë.
