Shqipëria pritet të ulet në konferencën e dhjetë ndërqeveritare me Bashkimin Europian të martën, më 13 tetor.
Burime bëjnë me dije se po diskutohet për mbylljen e kapitullit 20, që ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe politikat industriale, bisedimet për të cilat u hapën zyrtarisht më 22 maj të 2025.
Në fokus është promovimi i një ekonomie konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar nga inovacioni. Ky kapitull është negociuar së bashku me shtatë kapitujt e tjerë, si pjesë e grupkapitullit të 3-të, që përfshin fusha si transformimi dixhital, taksimi, politika ekonomike dhe shkenca.
Në Bruksel, delegacioni shqiptar pritet të kryesohet nga kryeministri Edi Rama.
Më 14 korrik të këtij viti, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Vendi konsiderohet i njësuar me standardet europiane në kapitullin 25 “Kërkimi shkencor”, kapitullin 26 “Arsimi dhe kultura” dhe kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”.
Objektivi i qeverisë shqiptare është përmbyllja e të gjithë grupkapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm, me qëllim që anëtarësimi i plotë në familjen europiane të ndodhë brenda 2030.
