Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e gjyqtarit Astri Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe ka dërguar në gjyq tre persona, përfshirë dy të akuzuar për veprat penale që lidhen me ngjarjen dhe punonjësin e sigurisë së gjykatës, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Sipas Prokurorisë, shtetasi Elvis Shkambi do të përballet me akuzat për “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në gjyq është dërguar edhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi, i akuzuar për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa punonjësi i sigurisë B.K. akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Hetimet nisën më 6 tetor 2025, pasi policia u njoftua se në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ishte qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.
Sipas organit të akuzës, ngjarja ndodhi gjatë një seance gjyqësore që kishte në objekt kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari, Elvis Shkambi nxori nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij.
Më pas, sipas Prokurorisë, ai e drejtoi armën edhe në drejtim të shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët tentuan të largoheshin nga salla. Si pasojë, E.K. mbeti i plagosur në dorën e djathtë, ndërsa R.K. pësoi dëmtime në trup.
Pas ngjarjes, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe doli në oborr, ku u arrestua në flagrancë.
Nga hetimet, Prokuroria thotë se ka rezultuar se Elvis Shkambi e ka kryer ngjarjen në bashkëpunim me Gjon Shkambin. Sipas akuzës, mes tyre dhe familjes së shtetasit E.K. kishte një konflikt të vazhdueshëm për çështje pronësie.
