Kryeministri i vendit, Edi Rama, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ishin të pranishëm në një biznes për të folur për programin “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi nevojën për rritjen e investimeve dhe zgjerimin e sipërmarrjeve shqiptare, duke nënvizuar se bizneset duhet të përmbushin standardet dhe kriteret në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian.
“Biznesi në fazën që Shqipërisë është ka nevojë të rrisë investimet, dhe ka nevojë të dyfishohet. Sigurisht bizneseve do tu kërkohen të përmbushi standarde dhe kritere, të cilat janë konforme rregullave të BE, me qëllim që të jemi konkurrues në tregun vendas dhe më gjerë”, tha ministrja Delina Ibrahimaj.
Kryeministri Rama u ndal te kushtet e financimit, duke bërë me dije se skema ofron kredi me interes deri në 2%, garanci shtetërore deri në 70%, financim deri në 2 milionë euro dhe afat shlyerjeje deri në 10 vjet.
“Ne kemi krijuar këtë skemë, e cila faktikisht ofron një kredi me interes deri në 2%, që është një kredi praktikisht shumë e butë dhe me një garanci shtetërore deri në 70%. Financimi shkon deri në 2 mln euro dhe afati shkon deri në dhjetë vjet. Është një kornizë shumë e favorshme e bërë enkas për biznesin e vogël dhe të mesëm për të gjithë ata që kanë një ide dhe një plan se si mund të rriten, por që ju duhet financim. Ky është programi. Shohim një rritje të interesit. Praktikisht kemi sot që flasim rreth 400 biznese që janë në proces. Kemi praktikisht deri në datën 5, që janë shifrat, janë 32 kredi të miratuara për një vlerë që shkon te rreth 5 milionë euro. Na vjen mirë të shohim ritmin e përshpejtuar“, tha Rama
